Covid-19 në Europë, Gjermania: Situata në përkeqësim. Në Suedi nuk ka më shtretër

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2020, 14:59 | Bota
Covid-19 në Europë, Gjermania: Situata në përkeqësim.

Një ditë pasi Angela Merkel bëri një thirrje emocionale për gjermanët, të pranojnë kufizime të rrepta kundër koronavirusit, vendi regjistroi një numër rekord prej mbi 23 mijë e 600 rastesh.

Kryeministri bavarez, Markus Söder, propozoi izolim të plotë nga Krishtlindjet deri më 10 janar, ndërsa Instituti për Sëmundjet Infektive "Robert Koch", paralajmëroi se rastet dhe vdekjet nga COVID-19 pritet të rriten gjatë javëve në vazhdim.

“Situata vijon të jetë shumë serioze dhe është përkeqësuar që prej javës së kaluar. Shifrat rriten prej javësh, e madje tani me ritme edhe më të shpejta. Kjo është shumë shqetësuese”, deklaroi Lothar Wieler, i institutit gjerman.

Edhe pse Gjermania ka shifra më të ulëta se disa shtete të tjera europiane, të enjten raportoi një bilanc prej 440 humbje jetësh, që sipas Merkel është i papranueshëm.

Tejet alarmante paraqitet situata në Suedi. Në kryeqytetin Stokholm, 99 për qind e shtretërve në terapitë intensive janë të zëna, për herë të parë qe prej shpërthimit të pandemisë. Drejtori i kujdesit shëndetësor për rajonin e  Stokholmit thotë se kanë nevojë për ndihmë. Koronavirusi u ka marrë jetën më shumë se 7200 personave në vendin skandinav.

Në Francë, kryeministri Jean Castex pritet të njoftojë lehtësim të kufizimeve, por jo aq shpejt sa ishte planifikuar. Parlamenti çek votoi për zgjatje të gjendjes së emergjencës pas regjistrimit të gati 9 mijë rasteve të reja. Sllovakia ndërkaq, urdhëroi që shkollat dhe shumica e dyqaneve të mbyllen për të paktën 3 javë, nga 21 dhjetori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos