
Agjencia Europiane për Medikamentet ra pre e një sulmi kibernetik, gjatë të cilit u prekën të dhënat e performancës së vaksinës anti-covid, të zhvilluar nga Pfizer dhe BionTech. Autoritetet kanë hapur një hetim për këtë, ndërsa nuk dihet vendi i origjinës nga erdhi sulmi.
Agjencia Europiane për Vlerësimin e Ilaçeve ishte objekt i një sulmi kibernetik. Synimi ishte marrja e të dhënave për vaksinën ndaj Covid-19 të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech.
“Menjëherë është hapur një hetim në bashkëpunim të ngushtë me forcat e rendit dhe entitete të tjera përkatëse”, bën me dije në një shënim EMA, që ka seli në Amsterdam. Ditët e kaluara, Interpoli lëshoi një alarm për vjedhje të mundshme dhe falsifikim të vaksinave anti-Covid. Aktualisht, agjencia europiane po shqyrton aprovimin e dy vaksinave që luftojnë koronavirusin e ri. Së shpejti, pritet të merret një vendim.
BioNTech ka njoftuar se të dhënat e vaksinës së zhvilluar me Pfizer janë prekur ilegalisht gjatë një sulmi kibernetik ndaj rregullatorit europian për ilaçet. Sipas një deklarate të përbashkët nga kompanitë amerikane dhe gjermane, hakerët kanë arritur të sigurojnë qasje në dokumentet lidhur me performancën normative të vaksinës. Ndërkohë, agjencia europiane për medikamentet nuk ka publikuar detaje të tjera për sulmin kibernetik dhe as origjinën nga ka ardhur. (A2 Televizion)