
“Omicron”, varianti i ri i koronavirusit po infekton më shumë njerëz, ndërkohë që mbetet i lartë edhe numri i vdekjeve.
Vetëm në harkun e javës 18-24 janar, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë humbën jetën 41 qytetarë, tre më shumë se në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë teksa në vend dominonte varianti Delta i koronavirusit.
E diela ishte dita më numrin më të lartë, 8 vdekje, ndërsa në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë, pati 7 humbje jete të tjera.
Në 7 ditët e fundit kanë humbur jetën 11 qytetarë më shumë se në harkun e ditëve 11-17 janar.
Edhe rastet e reja, u rritën edhe më shumë, duke vijuar tendencën e vënë re që prej ditëve të para të janarit. Në total, gjatë javës së fundit, janë identifikuar 15 mijë e 205 të infektuar, më një shtim prej 15.4 për qind krahasuar me javën 11-17 janar.
18 janari shënon kulmin e rasteve ditore me 28 mijë 32 të infektuar. Shifra më e lartë që nga nisja e pandemisë në mars të vitit 2020.
Pozitiviteti, raporti mes rasteve të reja dhe tamponëve të kryer sërish u ngjit më tej, duke prekur kuotën e 30.7 përqindëshit, një nivel që nuk ishte parë që prej periudhës 8-14 dhjetor 2020.
E vetmja e dhënë pozitive në këtë situatë duket të jetë gjendja në spitale. Pavarësisht se në fundjavë të shtruarit kërcyen duke kapur të dielën shifrat e 157 pacientëve, të hënën ato ranë sërish në 129 të shtruar, nga të cilët 13 janë në gjendje të rëndë duke marrë trajtim intensiv.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë infektuar gati 249 mijë qytetarë, prej të cilëve pak më shumë se 222 mijë janë shëruar, 3,312 kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 23 mijë vijojnë të jenë të prekur. (A2 Televizion)