Covid-19, Presidenti miraton ligjin për marrjen e huasë prej 15 mln eurosh nga BERZH: Keqardhje për vonesën e Kuvendit

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2020, 17:33 | Aktualitet
Covid-19, Presidenti miraton ligjin për marrjen e huasë prej 15 mln

Presidenti Ilir Meta ka miratuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim  dhe Zhvillim për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në vendin tonë.

Marrëveshja, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë është nënshkruar në tetor 2020 dhe parashikon marrjen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim të një huaje në vlerën 15 milionë euro, që do të përdoret për Projektin për Reagimin ndaj Emergjencës COVID-19 në Shqipëri.

Projekti parashikon mbështetjen e sistemit shëndetësor për të reaguar ndaj infeksionit COVID-19 menjëherë dhe në periudhë afatmesme. Kjo marrëveshje synon parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet përhapja e infeksionit COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në vendin tonë.

Në njoftimin e kreut të shtetit thuhet se kjo mbështetje do të fokusohet në parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe sëmundje që lidhen me të, si edhe në masat për distancimin fizik dhe komunikimin në distancë.

Ligji është miratuar nga Kuvendi në datë 3 dhjetor 2020, ndërkohë që i është përcjellë Presidentit vetëm ditën e djeshme më datë 14 dhjetor 2020. Për këtë presidenti Meta shprehe keqardhjen që  në këtë periudhë ku çdo ditë është e vyer, Kuvendit i janë dashur 11 ditë ta përcjellë në Institucionin e Presidentit.

“Presidenti Meta, me keqardhje konstaton se në këtë periudhë ku çdo ditë është e vyer, Kuvendit i janë dashur 11 ditë ta përcjellë në Institucionin e Presidentit për shpallje këtë ligj pas miratimit. Referuar qëllimit të kësaj marrëveshje dhe nevojës urgjente me të cilën po përballet vendi, Presidenti i Republikës menjëherë me administrimin e këtij ligji, pa asnjë vonesë ka realizuar shqyrtimin dhe ka vendosur Dekretimin me shpallje të tij”- thuhet në njoftim.

 Kreu i shtetit u bën apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, që të bashkëveprojnë më ngushtë dhe pa vonesa në mënyrë që çdo mbështetje financiare e huaj të vihet në efektivitet sa më shpejt me qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor shqiptar, për të përballuar situatën e pandemisë COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos