
Numri i vdekjeve në vend u rrit në 9 muajt e parë, krahasuar edhe me vitin pandemik.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në harkun e muajve janar-shtator, në vend humbën jetën 21,471 qytetarë nga 18,208 në 2020.
Edhe krahasuar me mesataren e viteve 2016-2019, ku shifra e fataliteteve ishte 16 359, treguesi u rrit me mbi 31 për qind këtë vit.
Nga ana tjetër, që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.
Sipas të dhënave nga INSTAT, Tirana është edhe qarku me rritjen më të lartë të vdekshmërisë me 44 për qind. Pas saj renditen Fieri me 40.3 për qind, Durrësi me 33.7 dhe Lezha me 31.8 për qind. (A2 Televizion)