Covid prek institucionet kryesore, mbyllet Gjykata dhe Prokuroria në Pogradec

Nga A2 CNN
3 Mars 2021, 12:10 | Aktualitet
Covid prek institucionet kryesore, mbyllet Gjykata dhe Prokuroria në

Gjykata e Pogradecit ka pezulluar punën deri në datë 17 mars për shkak të rasteve me Covid-19. Të prekur rezultojnë 3 gjyqtarë dhe 4 sekretare të kësaj gjykate. Për këtë arsye në këtë gjykatë deri në datën 17 mars nuk do të zhvillohet asnjë prej gjyqeve të planifikuara. Përparësi do t’u jepen vetëm seancave me karakter urgjent, siç janë masat e sigurimit personal.

Praktikisht në Gjykatën e Pogradecit ka mbetur në punë vetëm kryetarja, e cila me gjasa do të jetë në gatishmëri për masat e sigurimit.

Ndërkohë, pak kohë pas pezullimit të punës në gjykatë, njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Pogradec pezulloi edhe punën e Prokurorisë. Mësohet se drejtuesja e prokurorisë së bashku me dy prokurore kanë rezultuar pozitivë me covid dhe për këtë arsye është pezulluar puna edhe në këtë institucion.

Burimet e A2 pranë prokurorisë së Pogradecit bënë me dije e gjatë periudhës së karantinimit të prokurorëve dhe sekretarëve për masat e sigurisë do të delegohet një prokuror dhe një sekretar nga prokuroria e Korçës.

Sakaq covidi nuk ka kursyer as zyrtarë të lartë të Bashkisë Pogradec, mes të cilëve 3 nënkryetarë dhe 4 drejtorë të drejtorive kryesore. Raste të shumta me Covid  janë regjistruar edhe në Spitalin Bashkiak mes të cilëve janë 6 mjekë specialist. Kjo situatë ka bërë që shërbimet në institucionet kryesore të qytetit liqenor, në bashki, spital, Prokurori dhe Gjykatë të mos ofrohen siç duhet ndaj qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos