
Në distancën e nëntë viteve nga hera e fundit, Champions League është gati të rikthejë duelin në fushë ndërmjet dy yjeve të padiskutueshëm të turneut, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Këtë të martë, prej orës 21:00, Juventusi sfidon Barcelonën në “Camp Nou”. Dueli në Europë ndërmjet lojtarëve që kanë dominuar skenën në dekadën e fundit mungonte prej nëntë vjetësh.
Cristiano Ronaldo mungoi në ndeshjen e parë të kampionëve të Italisë me katanalët, më 28 tetorin e kaluar, për shkak se ndodhej në izolim pas infektimit nga Covid-19. Ajo përballja përfundoi me suksesin 2-0 të “blaugranave” në Torino.
Kjo është arsyeja përse, edhe pse e shohin veten të kualifikuar, te Juventusi kërkojnë të fitojnë minimalisht 3-1 për ta mbyllur grupin në vendin e parë. Barcelona kryeson Grupin G, pikërisht falë fitores në duelin direkt me bardhezinjtë. Triumfi në Spanjë me dy gola diferencë, do t’i jepte skuadrës së Pirlos kreun, prej rezultateve në sfidat direkte.
Megjithatë, duhet kujdes, sepse as fitorja 2-0 nuk do të shërbente, pasi Barcelona ka avantazhin e golavarazhit më të mirë, +12 rrjeta, përballë +9 të italianëve. Kjo është arsyeja, përse Juventusi do të mbështetet mbi të gjithë te Cristiano Ronaldo, stimujt e të cilit nuk do të mungojnë, në sfidën direkte me rivalin e përjetshëm. Fakti është që ylli portugez nuk ka shënuar asnjëherë në pesë përballjen europiane kundër Lionel Messit.
Një tabu, të cilën CR7 do të kërkojë që ta thyejë, edhe sepse statistikat tregojnë se ka realizuar 15 gola në 20 ndeshjet e fundit kundër Barcelonës. (A2 Televizion)