“Darka e fundit”, francezët me mendime të ndryshme për izolimin e ri

Nga A2 CNN
30 Tetor 2020, 11:26 | Bota
“Darka e fundit”, francezët me mendime të ndryshme

Restorantet në Francë shërbyen darkën e tyre të fundit për të paktën një muaj, përpara hyrjes në fuqi të izolimit të ri.

Presidenti, Emmanuel Macron, e njoftoi atë si masë drastike për të frenuar nivelin e lartë të përhapjes së Covid-19. Restorantet baret, kafenetë dhe dyqanet do të mbyllen, me përjashtim të mekanikëve, supermaketeve, lavanderive, farmacive dhe okulistëve që do të mbesin hapur.

Izolimi i ri është pritur me mendime të ndryshme nga francezët. Qindra protestues pushtuan rrugët qendrore të Parisit për të kundërshtuar vendimin e qeverisë. Ata u organizuan përmes rrjeteve sociale, ndërsa nuk munguan trazirat dhe thirrjet “duam liri”.

 “Nuk dëshirojmë të izolohemi. Na ka ardhur në majë të hundës shtetrrethimi dhe gjithçka”, thotë Laura një nga protestueset.

“Jemi këtu për të kundërshtuar izolimin që është dekretuar nga presidenti, shkon kundër mirëkuptimit dhe realitetit pandemik. Mendojmë se nënkupton instalimin e totalitarizmit të papërballueshëm dhe kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet”, thotë një tjetër.

Protesta e paautorizuar u shpërnda menjëherë me mbërritjen e policisë. Megjithatë ka edhe francezë që kuptojnë rëndësinë e situatës dhe pranojnë vendimin e qeverisë.

 “Kemi bërë disa parapërgatitje për izolimin. Lajmi doli shumë kohë më parë dhe ne tani jemi mësuar me të”, pohon Guillermo, që banon në kryeqytetin francez. Bllokimi i ri kombëtar në Francë hyri në fuqi që në orët e para të së premtes.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos