De Ligt një hap larg Bayern, gjermanët ofrojnë 90 milionë euro, “liron” Zaniolon te Juve

Nga A2 CNN
10 Korrik 2022, 17:04 | Futboll
De Ligt një hap larg Bayern, gjermanët ofrojnë 90 milionë

Pas nënshkrimit të suksesshëm të Sadio Mane nga Liverpooli, Bayern Mynihut po kërkon të forcojë mbrojtjen. Mbrojtësi i Juventusit, Matthijs De Ligt, është më afër se kurrë kampionëve gjermanë dhe bisedimet kanë avancuar mes dy klubeve.

Ndërkohë që edhe holandezi ka dhënë dritën jeshile që ky transferim të realizohet. Sipas mediave gjermane, fillimi i javës së re do të jetë vendimtar për të kuptuar të ardhmen e De Ligt: Drejtuesit  e Bayernit do të zbarkojnë në Itali, këtë të hënë, për të negociuar me Juventusin dhe do të përpiqen të mbyllin marrëveshjen duke dhënë ofertën zyrtare. Bëhet fjalë për një shifër 90 milionë euro. 75 milionë kesh, ndërsa 15 milionë të tjera në formë bonusesh për 5 vitet e ardhshme.

Bayern ka një marrëveshje paraprake me De Ligt dhe me shumë gjasa mbrojtësi holandez do të nënshkruajë kontratë deri në vitin 2027.

Roma ndërkohë është gati të negociojë për Niccolo Zaniolo. Verdhekuqtë mund të pranojnë nga 45 milionë euro për 23-vjeçarin që i dha trofeun e Conference League-s në Tiranë. Formula ideale për kryeqytetasit do të ishte në huazim për 10 ose 12 milionë euro, me detyrim blerjeje për 30-33 milionë euro.

Pra, në total “Zonja e Vjetër” duhet të paguajë më shumë se 45 milionë euro. Një shumë e përballueshme nga bardhëzinjtë që nëse shesin De Ligt, do të kenë mjaftueshëm para në dispozicion për të tjera goditje.

Edhe Koulibaly është në listën e dëshirave të Juventusit. Bardhezinjtë po bëjnë çmos të sigurojnë shërbimet e lojtarit dhe deri më tani qëndron në fuqi oferta e shkëmbimit me kartonin e Demiral. Diçka që është refuzuar nga Napoli që vështirë se mund ta lë të lirë lojtarin. Në Itali, raportojnë se napolitanët i kanë  ofruar dhe rinovimin e kontratës për 6 milionë euro në sezon në pesë vitet e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos