
Akti normativ për shtimin e të ardhurave buxhetore për 2022 ka ngjallur debate në seancën maratorë të Kuvendit. Pas prezantimit të bërë nga ministrja Ibrahimaj, Erjon Braçe, kërkoi më shumë vëmendje për bujqit, ndërsa deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi se buxhetet e alokuara nga qeveria i shërbejnë vetëm 5% të popullsisë.
“Rishikimi i fundit i buxhetit siguron ruajtjen e parametrave ekonomikë; deficitin edhe borxhin. Ndryshimet kryesore në të ardhurat e shpenzimet janë në rritjen neto të të ardhurave me 5 miliardë lekë, konkretisht akti normativ ka reflektimin e kësaj rritjeje si rezultat i performancës së kënaqshme të zërave për dhjetëmujorin, të cilat në total të ardhurat arrijnë në 581.8 miliardë lekë”, deklaroi Delina Ibrahimaj.
“Kur diskutuam buxhetin e vitit që shkoi në analizën e bërë, kërkova 1 miliard lekë plus për mbështetjen e bujqve, një miliardë këtë vit dhe një miliardë për vitin e ardhshëm. Pra kërkova 1/30 për bujqit dhe blegtorët. Nga ato që do shpenzohen këtë muaj, kërkova 1/152-tën. Për të paguar naftën falas për të gjithë edhe 15 mijë e 100 familje bujqësore, 34 mijë e kanë marrë deri tani naftën falas. Është padrejtësi që këto 15100 nuk do ta marrin dot naftën”, u shpreh Braçe.
“EUROSTA na ka renditur në vendin me të ulët për fuqinë vlerës, të fundit për të ardhura për frymë, të parët për nivelet e PPP. I kam kërkuar qeverisë të ketë parasysh dy çështje, rritjen e çmimeve dhe menaxhimin e një borxhi të fshehur që sot po bëhet evident dhe po formalizohet me pagesat për ndërtimin që janë rritur këtë vit. Shqiptarët kanë paguar deri në nëntor 1.2 mld lekë më shumë për produkte që vijnë nga jashtë dhe si përqindje kanë rënë 6.4% më pak. Shporta e ushqimeve po rritet deri në 29% disa produkte. Ky është realiteti shqiptar jashtë shifrave të këtij buxheti, realiteti që përballet me rritjen e çmimeve. Pasi është e pamundur që një shoqëri të prodhojë gjithmonë për 5% të qytetarëve dhe pjesë tjetër prej 95 % të lihet jashtë vëmendjes”, akuzoi Tabaku. (A2 Televizion)