
Është shoqëruar sërish me debate të ashpra mbledhja e radhës e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish Enkelejd Alibeaj të cilit i tha se nuk e njeh si kryetar të komanduar në krye të partisë, pasi nuk është i përzgjedhur i grupit parlamentar.
Në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit, Berisha e konsideroi atë fals dhe mafioz dhe një opozitar i vërtetë nuk mund të bëhet pjesë e “zarfeve të mbyllura”.
“Ai që ndjehet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete. Është e tëra në funksion të Edi Ramës dhe ne të bëjmë se jemi pyetur. Ka rregull për të qenë opozitë e vërtetë dhe ka rregulla shumë të qarta. Kur ai vetë fut zarfin sekret me një metodë mafioze, tipike, ne nuk kemi punë me të. Cilido që mendon ndryshe, bën lojën e tij”, tha Berisha. (A2 Televizion)