
Socialistët bënë një hap pas dhe pranuan kërkesën e dy prej grupeve parlamentare të opozitës për shtyrjen e afatit me një javë të Konferencës së parë të Kryetarëve për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.
Pas një takimi me Fatmir Mediun, i cili zgjati rreth 45 minuta në Kryesinë e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nënvizoi se është në pritje të një përgjigje edhe nga Enkelejd Alibeaj.
Fatmir Mediu, me në krah Agron Dukën, tregoi para mediave arsyen pse beson se do të shkohet drejt një Presidenti konsensual, edhe pse mazhoranca i ka votat për ta zgjedhur vetë Kreun e Shtetit në dy raundet e fundit: “Duhet një President që garanton unitetin e popullit dhe zgjedhja e njëanshme e tij e cenon këtë element. E dyta, duhet një President konsensual në 3 raundet e para. Nëse më pas kalohet në krizë politike, mund të veprohet me votat e mazhorancës”.
Më parë, fazën e konsultimeve për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, Taulant Balla së bashku me grupin negociator të socialistëve e hapën me një takim me shoqërinë civile, ku u theksua se dëshira e PS-së është që ta zgjedhin Presidentin në raundin e parë.
Në procesin e brendshëm të zgjedhjes së presidentit, socialistët kanë propozuar 67 emra, të cilët janë administruar nga sekretariati i krijuar posaçërisht për këtë proces. (A2 Televizion)