
Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike dhe ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, komentoi në "Debat" nga Alba Alishani, qëndrimin e Sali Berishës mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Berisha, në një postim në Facebook, shkroi se Rama kërkon të negociojë me opozitën e Bashës, sepse opozita e vërtetë “nuk do merrte pjesë kurrë në një farsë vulgare, qesharake dhe mafioze, me të cilën Edi Rama do të realizojë pushtetin absolut në Shqipëri”.
Sipas Patozit, ky reagim është shenjë paralajmëruese për një mbledhje grupi të PD-së me shumë tension ditën e nesërme.
“Me postimin e tij në Facebook, Sali Berisha thotë se nesër në mbledhjen e grupit do të ketë një përleshje mes dy palëve, në rast se do të ketë rezistencë nga grupi i Enkelejd Alibeajt për t’i qëndruar idesë që opozita duhet të marrë pjesë në negociatat për zgjedhjen e Presidentit”, tha Patozi.
“Unë mendoj që çfarëdo qëndrimi që të mbajë opozita, duhet ta mbajë duke shkuar në negociata, për t’ia lënë turpin mazhorancës, nëse del që kjo është farsë. Opozita duhet të shkojë sepse e ka detyrim”, shtoi Patozi. (A2 Televizion)