Debati post presidencial, marrëdhënia me Metën, Berisha: Koka në Stamboll, trupi në Janinë

Nga A2 CNN
7 Qershor 2022, 11:23 | Politikë
Debati post presidencial, marrëdhënia me Metën, Berisha: Koka

Debati për zgjedhjen e Presidentit të Republikës shoqëroi edhe seancën plenare ku në rend dite kishte problemet e popullit. Taulant Balla u përplas me Sali Berishën në foltoren e Kuvendit ku socialistët shprehën keqardhjen për bojkoton e PD-së, ndërsa ndërsa Berisha i akuzoi si kapës të të gjitha pushteteve.   

Dy ditë pasi kishin zgjedhur Presidentin, mazhoranca socialiste u ballafaqua me opozitën në parlament. Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla mes fjalëve për keqardhjen e bojkotit të PD-së, falënderoi LSI-në dhe PDIU që u bënë pjesë e procesit të votimit.   

“PDIU, LSI morën pjesë në procesin e përzgjedhjes. Nuk ka rëndësi se si votuan. Frika nga vota është diçka që PD-ja duhet t’i largohet”, tha Balla.   

Seriozitetin e çështjes për opozitën duket se e tregoi fjalimi i Sali Berishës. Ish-kryeministri kishte hedhur mendimet në tabletin e tij duke lexuar fjalë për fjalë, diçka e pazakontë në fjalimet e Berishës. 

“Data 4 qershor e vitit 2022 shënon zhdukjen përfundimtare të çdo lloj kontrolli të pushteteve. Me zgjedhjen dy ditë më parë të presidentit socialist nga mazhoranca socialiste u zhduk përfundimisht edhe gjurma e fundit e balancës midis pushteteve. Kusht vendimtar për mos pasur një pushtet monist, antidemokratik e antikushtetues”, tha Berisha.   

Largimi i PD-së gjatë votimit të Presidentit për socialistët është autorësi e Sali Berishës të cilin Taulant Balla e cilësoi edhe si frymëzuesin e bojkoteve demokrate.   

“Vesi del me shpirtin, por të paktën kuptuam se kush e kishte pasur gjithë këtë frymëzimin shumëvjeçar të bojkoteve”, shtoi Balla.  

Personalisht me Ballën, kryedemokrati u mor pak sekonda duke e cilësuar si person që ka mbajtur kontakte me strukturat kriminale në Elbasan, por jashtë parlamentit, gjeti kohë të thumbonte Ilir Metën, person i cili i hapi rrugë zgjedhjes së Bajram Begajt President.

“M'u kujtua Ali Pasha, trupi në Janinë, koka në Stamboll”.

Mesa duket, firma e Ilir Metës mbi dekretin presidencial që nxori në lirim Bajram Begajn, nuk është kaluar lehtë nga Sali Berisha, duke shënuar edhe një krisje në marrëdhënien e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos