Dëborë në juglindje, vështirësi qarkullimi në Voskopojë e Dardhë

Nga A2 CNN
4 Janar 2021, 10:10 | Aktualitet

Reshjet e borës që filluan gjatë natës në qarkun e Korçës kanë krijuar probleme, kryesisht në rrugët që lidhin fshatrat turistike të Voskopojës dhe Dardhës. Në Voskopojë, si pasojë e borës ka dalë nga rruga një mjet, fatmirësisht pa persona të lënduar.

Gjatë natës, aksi Voskopojë-Korçë ka pasur probleme në qarkullim pasi kalohej me vështirësi, por në orët e mëngjesit është ndërhyrë për pastrimin e borës dhe kriposjen e rrugës. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se akset rrugore për në fshatrat turistike të Voskopojës dhe Dardhës këtë mëngjes janë të hapura dhe qarkullohet normalisht.

Ndërsa trashësia e dëborës në Dardhë ka arritur në vende të caktuara deri në 15 centimetra. 

Ndërkohë edhe i gjithë Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e shiut në orët e para të mëngjesit, por rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht në të gjithë Qarkun. Më problematike ka qenë situata në rrugën Bajram Curri në Valbonë ku si rezultat i reshjeve të dendura të shiut ka patur rënie inertesh në shumë segmente (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos