
Leku është monedha zyrtare e Shqipërisë, por shqiptarët përdorin euron po aq sa paraja vendase. Këtë tendencë nuk ka mundur ta zbusë as paketa e deeuroizimit e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, që ka si qëllim pikërisht uljen e përdorimit të euros në ekonomi.
Raporti i fundit i bankës qendrore mbi monitorimin e procesit të deeuroizimit, tregon se në dy vitet e fundit depozitat në euro dhe valuta të tjera të huaja ranë me vetëm 0.7 pikë përqindje, dhe ende përbëjnë mbi gjysmën e totalit të depozitave.
Ndërsa kredia në valutë ka rënë me 3.7 pikë përqindje, por sërish zë gjysmën e peshës totale të kredisë të dhënë në ekonominë e gjerë.
Përdorim i gjerë i euros krijon dy probleme të mëdha: së pari krijon një rrezik të madh nga goditjet e kursit të këmbimit si për individët, ashtu edhe për bizneset, ndërsa nga ana tjetër përgjysmon efektin e të gjitha politikave monetare që ndërmerr Banka e Shqipërisë. (A2 Televizion)