
Eksportet e mallrave shqiptare u rritën fort në korrik, duke ndjekur ritmin e lartë të rimëkëmbjes pas pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja me 30% e korrikut ndihmoi eksportet të kapin vlerën e 209 miliardë lekëve për periudhën Janar-Korrik, shifër edhe më e lartë se sa në vitet përpara krizës shëndetësore.
Grupet e mallrave që dhanë ndikimin më të madh në këtë ecuri pozitive janë mineralet, lëndët djegëse dhe materialet e ndërtimit, favorizuar nga shtrenjtimi i naftës në bursa dhe kërkesa e fortë për metale në tregjet ndërkombëtare.
Në rritje edhe eksportet e ushqimeve, si dhe tekstilet e këpucët, por me këtë të fundit ndjeshëm larg niveleve të vitit 2019 apo 2018. Për 7 muajt e parë të vitit rezultojnë në rritje shkëmbimet me partnerët kryesorë tregtarë: Italinë, Kosovën dhe Spanjën.
Ndërsa sa i takon importeve, janë mallrat turke ato që kanë parë rritjen më të fortë vjetore, ndjekur nga Italia dhe Kina. Kërkesa për mallrat e huaja ka qenë më e larta e regjistruar ndonjëherë, duke kapur vlerën e 425.7 miliardë lekëve për periudhën dhe duke zgjeruar në mënyrë të ndjeshme deficitin tregtar.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, si pasojë e kërkesës së lartë, ka pasur një shtim të ndjeshëm të kontejnerëve të përpunuar në Portin e Durrësit, ndërsa në total mallrat kryesore nga kamionët, trailerët dhe anijet tregtare kanë qenë gruri, çimento, hekuri, llamarina dhe ureja. Ndërsa Instat raporton gjithashtu për një rritje të sasisë së karburantit të importuar dhe makineri, pajisje e pjesë këmbimi. (A2 Televizion)