
Të gjithë në plazhe dhe të gjithë në hotele. Riviera bregdetare e Shqipërisë është pushtuar këtë vit nga turistët vendas e të huaj.
Të dhënat e portalit të rezervimeve online Booking, tregojnë se aktualisht pjesa dërrmuese e shtretërve turistikë në pronat e listuara janë të zënë, duke nisur nga Durrësi me 76% të dhomave të zëna, për të mbërritur në Himarë e Dhërmi në kufijtë e 100%-shit.
Për bizneset e industrisë së turizmit kjo është një ndihmë e madhe pas goditjes së një viti më parë nga pandemia.
Për një pjesë të madhe të hotelerisë, janë turistët e huaj ata që zënë numrin më të lartë të dhomave, krahas atyre tradicionalë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Pavarësisht investimeve të mëdha në struktura hotelerie, sipas kreut të Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri, për të zhvilluar më tej turizmin në qarkun e Durrësit nevojitet një plan i mirëfilltë dhe ofrimi i shërbimet plotësuese nga shteti dhe pushteti vendor, që nga ato më bazike si pastrimi i qytetit.
Paralelisht me hotelerinë, një sukses të ngjashëm deklaron edhe sektori i shërbimit ushqimor, edhe pse vuajti ndjeshëm nga prania e masave kufizuese. (A2 Televizion)