Del në ankand fanella e golit me "Dorën e Zotit"

Nga A2 CNN
6 Prill 2022, 17:29 | Futboll

Fanella më e famshme e futbollit, ajo që Diego Armando Maradona ka veshur kur shënoi golin me "Dorën e Zotit" dhe “Golin e shekullit” ndaj Anglisë, ka dalë në ankand.

Sipas “The Guardian”, pronari i kësaj fanelle legjendare, ish-mesfushori anglez Steve Hodge, pret ta shesë për të paktën 5 milionë dollarë.

https://www.youtube.com/watch?v=-ccNkksrfls

Hodge shkëmbeu bluzën me Maradonën pas përfundimit të asaj ndeshjeje çerekfinale të Botërorit të vitit 1986, dhe pas 35 vitesh, ka vendosur që ta shesë.

Argjentina e fitoi 2-1 atë ndeshje, me Maradonën, që atëherë ishte 25 vjeç, i cili shënoi atë që e quajti një gol me “Dorën e Zotit” dhe më pas një gol spektakolar, duke marrë topin nga mesfusha e duke i dribluar të gjithë, përfshi portierin.

https://www.youtube.com/watch?v=1wVho3I0NtU

Argjentina më pas fitoi titullin kampion bote, duke mundur në finale Gjermaninë.

Brahm Wachter, shefi i ankandit të veshjeve në Sotheby’s, tha: “Dora e Zotit është një moment i veçantë jo vetëm në historinë e sportit, por në historinë e shekullit XX. Ai moment pati jehonë përtej botës së futbollit, duke frymëzuar libra, filma dhe dokumentarë. Maradona konsiderohet një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori dhe ndeshja ndaj Anglisë është një pjesë themelore e trashëgimisë së tij”.

Ankandi do të hapet në 20 prill dhe do të qëndrojë i hapur deri në 4 maj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos