
Mirel Josa nuk është më në krye të pankinës së Laçit. Pas humbjes së fundit me Partizanit, drejtuesit e klubit kurbinas kanë vendosur të shkarkojnë 58-vjeçarin. Lajmin e ka bërë publike faqja zyrtare e klubit e cila me anë të një postimi, njoftoi tifozët për prishjen e marrëveshjes.
Edhe pse Laçi ishte në pozita komode në kampionat, duke blinduar vendin e dytë pas Tiranës, si dhe një hap larg finales së Kupës së Shqipërisë, presidenti Pashk Laska ka vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Por vetëm pak orë nga shkarkimi i Josës, drejtuesit e Laçit kanë gjetur dhe zëvendësuesin e tij. Bëhet fjalë për një rikthim dhe një emër të madh në futbollin shqiptar si ai i Shpëtim Duros. Edhe pse nuk është mbushur viti që trajneri Duro u largua nga kryepankina kurbinase, drejtuesit kanë dashur ta rikthejnë sërish.
Duro ka pranuar ofertën e drejtuesve edhe është gati të luftojë fort për të dyja frontet si në kampionat dhe Kupë, Shpëtim Duro bëri histori me skuadrën e Laçit në Europë pasi si asnjëherë më parë kaloi dy ture dhe në fund u eliminua nga një klub me emër si Anderlecht. (A2 Televizion)