
Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin e quajti protestën e sotme, protestë private të Sali Berishës. Elisa Spiropali tha se ironike është që kundërshtarët më të ashpër të qeverisë, sot janë në fakt përballë atyre që do të jenë në shesh sonte.
“Do të doja të shihja ata që po i godet kriza e jo ata që janë bashkaksionerë në ashpërsimin e saj, jo ata që vijnë me Range Rover e përdorin si mish për topat e luftës për pushtet me të varfrit. Do të doja të shihja qytetarët e së nesërmes, jo komunistin e fundit të Europës që kërkon të vijë sërish në pushtet. Pi ujë Sali kudo të jesh, se është vapë e të pret një pasdite e lodhshme në protestën vetmitare dhe private. Po kërkon të shpikësh vetveten, por ti e di dhe vetë që uji yt ka sosur. Ngri furtunën e radhës, por mos kujto se dhe ata që ke rrotull nuk e dinë që janë mercenarë në një luftë që ju përket. Për paradoks protestuesit më të ashpër të kësaj qeverisje, të pakënaqurit më të mëdhenj do i keni përballë. Do i keni në katin e dytë të Kryeministrisë Sali, atje nga ku shihej garda që qëndronte mbi protestuesit, por s’do të shohësh kryeministrin, por kryeprotestuesin”. (A2 Televizion)