
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cilëson si të mangët rezolutën e paraqitur nga PS për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Pavarësisht kësaj, Tabaku deklaroi votën pro kësaj nisme, por kërkoi nga mazhoranca që të marrin parasysh amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike.
“PS-ja duhet që të dënonte gjenocidin, të njihte viktimat duhet të njihte edhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne nuk arritëm një dakordësi që PS-ja të ngrihej mbi palët dhe të miratonte një rezolutë që është miratuar në Mal të zi dhe Kosovë. Rezoluta e sotme është e mangët, por pavarësisht kësaj ne do ta miratojmë këtë. Nga ana tjetër, ne kemi propozuar një rezolutë për Kosovën që lidhet me njohjen e krimeve serbe. Për askënd nuk ka vlerë debati ynë politik e sulmet. Për askënd nuk ka vlerë të sillet si lider i Ballkanit kur nuk ndihmon të sqarojë të shkuarën e Ballkanit dhe të mos lejojë që e shkuara të përsëritet”. (A2 Televizion)