
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të Futbollit, njëherazi edhe lojtar i Chelseat në Premier League angleze, Armando Broja, ka reaguar për herë të parë që prej dëmtimit të tij horror në ndeshjen miqësore kundër Aston Villës, përballje që u zhvillua në Dubai, aty ku “blutë” e Londrës kishin shkuar për të bërë fazën e tyre parapërgatitore.
Në reagimin e tij në rrjetin social “Instagram”, Broja shkruan se është vërtet i lënduar që e ka mbyllur sezonin futbollistik në këtë mënyrë, megjithatë shton ai, ndihet i motivuar për një rekuperim sa më të shpejtë dhe një rikthim më i fortë se kurrë në fushat e blerta.
“Jam i shkatërruar që viti 2022 përfundoi në këtë mënyrë. Ka qenë tepër e vështirë që të procesoj gjithçka në ditët e kaluara, por jam i vendosur të rikthehem edhe më i fortë dhe më i mirë se më parë. Kjo është vetëm një hap pas, për gjërat e mira që do të vijnë në të ardhmen. Falënderoj të gjitha ata që më kanë dërguar mesazhet e tyre suportuese, vlejnë shumë për mua. Do kthehem së shpejti”.
Armando Broja
Reagon Chelsea:
Në një publikim në faqen zyrtare “blutë” e Londrës kanë konfirmuar se shqiptari ka këputur ligamentin dhe si pasojë do të humbasë pjesën e mbetur të sezonin 2022-2023.
“Pasi pësoi një dëmtim në gju gjatë pjesës së parë të miqësores të së dielës kundër Aston Villa, Armando iu nënshtrua një vlerësimi të mëtejshëm pas kthimit të klubit në Angli. Rezultatet e skanimit kanë konfirmuar për fat të keq një këputje të ligamentit dhe për këtë arsye do ët zhvillojë një ndërhyrje kirurgjikale. Pas operacionit, Armando do të punojë me departamentin mjekësor të klubit gjatë rehabilitimit të tij dhe pritet të humbasë pjesën e mbetur të sezonit 2022/23”. (A2 Televizion)
Reagimi i Chelsea