
Shqiptari Ardian Kozniku, i cili në vitin 1998 ka qenë pjesë e kombëtares kroate të futbollit, ishte i ftuar në Ditarin e mëngjesit, ku komentoi ndeshjen e së martës në të cilën Kroacia u eliminua nga Argjentina në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Kozniku vlerësoi ekipin ballkanas për arritjet e tij në arenën botërore të futbollit dhe shtoi se asgjë nuk është e rastësishme pasi Kroacia bën një punë kolosale me moshat dhe për këtë arsye nxjerr vit pas viti talente.
“Kroacia ka marrë 6 herë pjesë në kampionatin botërore dhe për të herë të tretë renditet mes 4 më të mirëve në historinë e saj të shkurtër. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Kroacia humbi kundër një Argjentine shumë të fortë. Ajo pret kush do të humbë në ndeshjen mes Francës dhe Marokut për të kërkuar një medalje tjetër. Pamjet nga Zagrebi ishin shumë të bukura. Qindra qytetarë kanë ndjekur ndeshjen në sheshe. Edhe pse ka humbur Kroacia, nuk është një katastrofë. I gjithë populli dhe tifozët janë krenarë. Po të bëheshim kampionë do të ishte diçka fantastike. Është bërë një punë shumë e madhe që me moshat e vogla, të cilët kontrollohen nga shumë ekspertë. Kroacia i tregoi të gjithë botës që luan një futboll shumë të mirë”, tha Kozniku. (A2 Televizion)