
Më shumë se 10 mijë bileta falas. Prej ditësh, në Marok flasin vetëm për futbollin dhe arritjen historike të kombëtares afrikane në Kupën e Botës në Katar. Kjo arritje ka bërë që mbrëmjen e sotme, në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Francës, stadiumi Al Bayt të pushtohet nga tifozët e veshur me të kuqe, për t’i dhënë një mbështetje më shumë idhujve të tyre për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni.
Tifozët marokenë kanë qenë të shumtë dhe të zhurmshëm në mbështetje të kombëtares së tyre që prej ndeshjeve të grupeve, ndërsa në gjysmëfinalen e kombëtares së udhëhequr nga Mbappe pritet të jenë edhe më të shumtë. Në koordinim me FIFA-n, Federata e Futbollit në Marok ka arritur të sigurojë 10 mijë bileta, të cilat do t’i jepen falas tifozëve marokenë.
Bëhet fjalë për pjesën e biletave që kanë mbetur të pashitura. “Ne blemë pjesën e biletave që mbetën të pashitura dhe do t’ia japim falas tifozëve tanë”, ka njoftuar federata. Ndërkohë, shumë tifozë kanë përfituar edhe nga lehtësirat e dhënë nga kompania ajrore kombëtare, duke siguruar 30 fluturime charter nga Kazablanka në Doha.
Megjithatë, rreth 50 mijë tifozë kanë marrë një mesazh befasues këtë mëngjes, ku i thuhej nga kompania Royal Air Maroc se të gjitha fluturimet për në Doha janë anuluar. “Për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria e Katarit, Royal Air Maroc iu informon me keqardhje për anulimin e fluturimeve nga Qatar Airways”, është emaili i dërguar tifozëve, shkruan "Reuters".
Në mediat lokale në Marok raportohet se 10 fluturime drejt Dohas janë nisur një ditë më parë. (A2 Televizion)