Dëmtimi i pyjeve shekullore, skena aksion në Rrajcë për mbrojtjen e pemëve

Nga A2 CNN
12 Maj 2022, 13:18 | Sociale
Dëmtimi i pyjeve shekullore, skena aksion në Rrajcë për

Prerje të vjetra dhe të reja, pemë të mëdha dhe të vogla, që masakrohen sa nga banorët e zonës që përdorin drurin për ngrohje e gatim, aq edhe nga abuzuesit që e shesin dhe nxjerrin përfitime.

Kjo është panorama e një pjese të pyjeve në zonën e Rrajcës, në Librazhd, zonë kjo e vënë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ato pak punonjës të drejtorisë lokale të mbrojtjes së zonave të mbrojtura ndeshen çdo ditë me abuzuesit, të cilët rrezikojnë edhe jetën e personelit që tenton të mbrojë pyllin.

Kjo situatë ka ardhur sa nga pamundësia e institucioneve për të bashkërenduar punët, si dhe për të plotësuar drejtoritë përkatëse me personelin e duhur, aq edhe nga mosveprimi si duhet i institucioneve ligjzbatuese për ndëshkimin e atyre që identifikohen duke prerë pyjet në mënyrë të paligjshme.

Punonjësit e mbrojtjes së zonave pyjore, përveç rreziqeve të tilla, janë hasur edhe me kërcënime të drejtpërdrejta në orët e natës, madje u kanë dëmtuar edhe mjetet, ndërsa në rrugët e pyllit shikon edhe plumba.

Ashtu sikurse njerëzit që jetojnë pranë pyllit kanë nevojë për drurët e tij për ngrohje e gatim, ashtu edhe natyra ka nevojë për pyjet, që ato të ruhen dhe shfrytëzimi të bëhet në mënyrë të studiuar dhe jo kaotike, sipas dëshirave apo orekseve të individëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos