
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, denoncoi në një konferencë për shtyp se në disa bashki të Qarkut të Korçës janë vjedhur të dhënat e njerëzve të thjeshtë, nga persona me rekorde kriminale.
“Në Qarkun e Korçës, në disa bashki të banuara kryesisht nga minoritarë, disa shtetas me rekorde kriminale, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, janë pajisur me pasaporta dhe dokumente identifikimi, duke përdorur të dhënat e personave që nuk kanë probleme me ligjin. Pra, shtetas të huaj apo dhe shqiptarë janë pajisur me dokumente të lëshuara nga gjendja civile shqiptare, duke vjedhur identitetin e shtetasve maqedonas. Këta shtetas kanë marrë dokumente edhe në Maqedoninë e Veriut”, tha Meta.
“Çështja është bërë objekt debati publik në Maqedoninë e Veriut. Disa prej personave të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti, janë pajisur me dokumente identifikimi shqiptarë në Korçë dhe Pustec. Në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar disa zyrtarë shtetërorë. Vjedhja e identitetit mund të jetë shfrytëzuar në Shqipëri edhe për të votuar disa herë dhe në emër të emigrantëve që nuk mund të vijnë në atdhe për të ushtruar të drejtën e votës. U bëj thirrje të gjithë zyrtarëve shtetërore që të kenë kujdes, të mos përdorin në qendra votimi të vjedhura apo të përdorin dokumente të shtetasve të tjerë”, tha Meta.
“Sot i kam kërkuar prokurorisë dhe KQZ-së që të nisin hetimet për këtë veprimtari kriminale dhe për të ruajtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo funksionar publik të denoncojë çdo rast. Kush falsifikon dhe tenton të prekë votën, do ta ketë vendin në burg”, shtoi Presidenti. (A2 Televizion)