Deputeti që ktheu rrogat, pranoi mandatin, por shmangu rikandidimin më 25 prill

Nga A2 CNN
15 Prill 2021, 13:16 | Politikë
Deputeti që ktheu rrogat, pranoi mandatin, por shmangu rikandidimin më

44 kandidatë morën mandatin e deputetit dy vite më parë pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të largoheshin nga parlamenti.

Parlamentarët e rinj të Kuvendit u sulmuan publikisht si njerëz që shitën kauzën opozitare për benefite financiare, akuzë të cilën, të paktën një prej e tyre e hodhi poshtë me gjeste. Erion Piciri prej dy vjetësh ka hequr dorë nga benefitet që i jep statusi i deputetit, duke mos marrë asnjë qindarkë.

“Hyra në parlament si një besnikëri ndaj interesit publik. Elementi i dytë lidhet me atë që shumë diskutohet, me rrogën dh benefitet e parlamentarit, dhe për të nënvizuar aspektin e parë hoqa dorë nga këto benefite që janë të shumta për parlamentarët”, u shpreh Piciri.

Por ku kanë shkuar paratë e kthyera mbrapsht?

“Ishte një dhurim simbolik tek ata të tërmetit edhe te fondi për biznesin që ka shteti shqiptar. Nuk e di se ku shkojnë, por unë kam bërë një kërkesë të tillë. Besoj se parlamenti e ka ndershmërinë dhe e ka çuar në drejtimin e duhur”, shtoi ai.

Ndryshe nga shumë kolegë të tij që u ricikluan dhe gjetën strehë në këto zgjedhje te listat e demokratëve apo socialistëve, Piciri nuk kandidon më në zgjedhje, por ka kërkuar të lërë frymën e tij te ligjet e kësaj legjislature.

“Kam ndërmarrë dy iniciativa legjislative për shkurtimin e tyre dhe për t’i koresponduar realitetit në të cilën ne jetojmë. Është një element shumë i rëndësishëm, politika udhëhiqet nga principet. Nëse ti nuk ke një yll polar, disa principe që të udhëheqin në rrugëtimin tënd, nuk mund të japësh kontribute për zhvillimin e vendit”, shtoi ai.

Deputetët në Shqipëri kanë dy trajtime financiare, e para është rroga bazë që kap vlerën e 120 mijë lekëve të rinj dhe më pas benefitet si rimbursim karburanti, telefoni, qiraje dhe bonueset për mbledhje komisioni e seancë plenare. Në fund të muajit, në llogarinë e tyre bankare, deputetëve u shkon një shumë prej rreth 260 mijë lekësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos