
Abuzime sistematike seksuale dhe të llojeve të tjera, viktima të së cilave ishin futbollistet femra, disa prej tyre edhe lojtare të ekipit kombëtar. Ky është denoncimi tronditës që vjen nga Shtetet e Bashkuara, pas hetimit të pavarur të Sally Yates, ish-prokurorja e përgjithshme e SHBA-së dhe nga studio ligjore King & Spalding.
Në konkluzionin e hetimit, theksohen komentet me sfond seksual, ngacmimet, por edhe marrëdhëniet me forcë si në Ligën Amerikano Veriore, ashtu edhe në strukturat e dedikuara për sportistet e reja. Këto “sjellje sistematike përfshijnë disa skuadra, trajnerë dhe viktima”.
Reagimi i menjëhershëm i Ligës amerikano-veriore ishte angazhimi për të realizuar reforma. Presidentja e federatës, Cindy Parloë Cone, tha se kjo situatë i theu zemrën dhe i cilësoi përfundimet e hetimit si “thellësisht shqetësuese”. Ajo garantoi se i gjithë sistemi do të angazhohet që t'i garantojë të gjitha vajzave futbolliste, në të gjitha nivelet një ambient të respektueshëm, ku do të mësojnë, të rriten dhe të konkurrojnë.
Hetimi nisi para një vit, pas akuzave të dy sportisteve për dhunë seksuale nga trajneri i North Carolina Courage, Paul Riley. Nga një tjetër hetim, edhe Richie Burke, trajner i Washington Spirit u pushua nga puna pas hetimit që konfirmoi “abuzimet verbale dhe ngacmimet morale”.
Raporti me 172 faqe përfshin intervista me më tepër se 200 vajza që praktikojnë futbollin dhe detajet e abuzimeve nga trajnerët, manipulim, bullizëm dhe hakmarrje. Pak kohë më parë, dy prej yjeve të përfaqësueses së SHBA-së, Megan Rapinoe dhe Alex Morgan, kampione olimpike në 2012-n dhe kampione të botës në vitet 2015 e 2019, akuzuan institucionet drejtuese të futbollit të femrave, se nuk po bënin asgjë për të luftuar abuzimet. (A2 Televizion)