Përfundimi i zgjedhjeve të Rrogozhinës shënoi edhe mbylljen e procesit elektoral të vendoreve të 14 majit, ku edhe këtë herë, problematika kryesore në administrimin e procesit zgjedhor lidhej me komisionerët e partive politike.
Prej vitesh në tryezat e partive politike qëndron një rekomandim i OSBE-ODIHR i cili shprehet se administrimi i zgjedhjeve duhet të bëhet nga persona apolitik.

Ky rekomandim u bë pjesë e reformës elektorale të qershorit 2020 ku PS-PD ranë dakord që në parlamentaret e vitit 2025 të kishte një depolitizim të administratës zgjedhore, duke zëvendësuar njerëzit e partive me punonjës të administratës publike.

Kanë mbetur më pak se dy vite nga këto zgjedhje dhe zbatimi në praktikë i kësaj pike duket të jetë i largët. Pengesa qëndron te mungesa e besimit në një administratë publike të depolitizuar, që do të zëvendësonte njerëzit e partive, siç tregojnë këto qëndrime të pak ditëve më parë në Parlament.
Administrimi i zgjedhjeve nga persona apolitik është një model që garanton sukses dhe garanton një përshpejtim të daljes së rezultatit të zgjedhjes.
Taulant Balla, 13 korrik 2023.
All - Paragraf - 6Ka qenë pikërisht kjo që në vitin 2020 që në atë marrëveshje të 5 qershorit, BE ka sjellë me shkresë qëndrimin që nuk mund të zbatohet propozimi i PS për depolizitim sepse administrata publike që do të përfshihej ishte e politizuar.
Oerd Bylykbashi, 13 korrik 2023.
Mosdakordësia politike afekton direkt punën e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Ilirjan Celibashi prej vitesh ka kërkuar nga politika që komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit të mos jenë nën varësinë e plotë politike.
Një model miks i cili nga njëra anë garanton edhe interesin e partive politike dhe kjo është gjë e mirë në vlerësimin tim, por nga ana tjetër, kjo e drejtë e tyre të mos jetë siç është sot pasi nuk garanton një menaxhim të mirë të procesit zgjedhor.
Ilirjan Celibashi, tetor 2021.
Ndonëse kanë kaluar dy vite nga ky propozim, gjetja e një formule tjetër për funksionimin e komisioneve zgjedhore vijon të jetë një ndër sfidat e reformës elektorale që pritet të rifillojë në muajin shtator në sesionin e ardhshëm parlamentar. (A2 Televizion)