
Regjisori Kastriot Çipi, në një intervistë për “Ditari” në A2, deklaroi se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit aktualisht ka përpara një betejë të madhe, atë për demokraci.
“Kemi një betejë të madhe: betejën për demokraci. Bindja ime absolute ka qenë se Teatri nuk shpëtonte pa rrëzuar diktaturën, as rindërtimi i Teatrit nuk mund të bëhet përsa kohë kemi këtë diktaturë në pushtet. Imediate është lufta për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, për të pasur një sistem zgjedhor që i jep të drejtë qytetarit që të zgjedhë kandidatin që do. Pse jo, të kemi edhe ndërhyrje të thella në Kushtetutë që të mund ta kthejnë Shqipërinë në vend normal demokratik”, u shpreh Çipi.
Kur u pyet në lidhje me krijimin e një partie të re, Çipi tha: “Ne flasim në emër të Aleancës, që kemi firmosur kontratë me zotin Basha në 25 korrik 2019. Ne kërkojmë sistem zgjedhor që i jep mundësinë qytetarit që të zgjedhë përfaqësuesin e tij, që krijon balancë pushtetesh dhe në kontratë flitet edhe për referendumet. Referendumet i kemi, por në praktikë janë të pamundura. Pra, ne jemi gjithmonë ata që kemi qenë dhe kemi të njëjtat kërkesa. Kauza e teatrit është politike, por jopartiake. Duhet që shoqëria të mobilizohet të marrë fatin e vet në dorë dhe të mos ia lërë partive, pasi partitë na kanë sjellë këtu ku jemi”.
Ditën e djeshme, një pjesë e përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit rikthyen në vëmendje kontratën e nënshkruar në korrik të 2019-s me Partinë Demokratike, duke i kërkuar kreut të saj ndryshimin e sistemit zgjedhor. Çipi bëri me dije se letra që i është dërguar PD-së nuk ka marrë ende përgjigje.
“Nuk kemi asnjë sinjal deri tani nga PD-ja. Ajo që po dëgjojmë për Reformën Zgjedhore nuk është inkurajuese pasi duket se kjo parti nuk është dakord për ndryshimin e sistemit”, tha Çipi. (A2 Televizion)