
Kuvendi mbylli këtë sesion parlamentar duke miratuar të gjithë nismat që kishte parashikuar. Nisma për Akademinë e Shkencave apo ajo për studentët e Fakultetit të Mjekësisë u miratuan me unanimitet nga e majta, ndërsa legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore mori tre abstenime nga socialistët e vjetër në sallë.
Socialistët mbyllën punimet e sesionit parlamentar duke miratuar të gjitha nismat që kishin në agjendë. Kompaktësia e të majtës u dallua tek tre nismat të cilat kishin ngjallur më shumë debat. Fillimisht ishte projektligji për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, nismë e cila prej javësh ka ngjallur protesta rrugëve të Tiranës.
Procesi i votimit nisi në orën 5 të së premtes, ndonëse seanca plenare kishte nisur 24 orë më parë. Pavarësisht kohës së gjatë të punimeve të seancës, të majtët qëndruan në sallë për të dhënë votat pro nismave. E tillë ishte mbështetja edhe për projektligjin për Akademinë e Shkencave, nismë e cila u fut në rendin e ditës të seancë plenare jashtë afateve procedurale.
Kjo kompaktësi e të majtës nuk ishte solide tek nisma për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Tre xhaketa të vjetra të së majtës, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe zgjodhën ta abstenonin nismën e Edi Ramës. Pavarësisht kësaj, votat e tjera në sallë ishin të mjaftueshme që ligji të miratohej.
Rendi i ditës i seancës plenare parashikonte gjithashtu edhe zgjatjen e afatit të komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, nismë e cila u shty për në shtator pas mos gjetjes së dakordësisë ndërmjet palëve. (A2 Televizion)