Kalemaj: Dosja e SPAK ka mangësi, sot Ahmetaj mund të ishte në burg po të ishte vepruar me mençuri

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 20:41 | Politikë
Kalemaj: Dosja e SPAK ka mangësi, sot Ahmetaj mund të ishte në

Analisti Ilir Kalemaj ka shprehur rezerva për mënyrën sesi SPAK ka përgatitur dosjen për ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i akuzuar për aferën e inceneratorëve. I ftuar në emisionin “Debat” nga Alba Alishani, Kalemaj tha se SPAK ka vonuar procesin e arrestimit të Ahmetaj, sipas së cilit do duhet të kishin marrë fillimisht një vendim që t’i ndalonte atij daljen jashtë vendit. Për rrjedhojë, sipas Kalemajt, ai do të ishte në Shqipëri, ndoshta edhe pas hekurave.

“Mënyra si është kopsitur dosja, duket e plotë, po ka disa mangësi, pra nuk fillohej me kërkesë arrestin, që i dha shumë kohë Ahmetajt, duke qenë se edhe ishte dekonsipiruar, të largohej. Ndërkohë që mund të ishte marrë masa të tjera pa pritur Kuvendit, siç ishte bllokimi i daljes së Ahmetaj jashtë shtetit dhe nga ana tjetër të veprojë për ta kopsitur dosjen, dhe në këtë sens kemi parë edhe ato që kanë dalë në shtyp, me faktet që implikojnë Ahmetajn. Vetë personat në kërkim, pronarët kanë shkruar VKM, 17 VKM e famshme, jo vetëm kanë influencuar, por kanë qenë ato autorët e kësaj autoret” u shpreh analisti.

Në këto kushte, ai është shprehur skeptik për procesin dhe betejën gjyqësore që do të vijojë më pas Arben Ahmetaj.

“Nëse do ishte vepruar më me mençuri, atëherë Ahmetaj jo vetëm do ishte në Shqipëri dhe ndoshta pas hekurave, por bashkëpunëtor potencial i drejtësisë, fakti që iu dha mundësia që në këto 5-6 muaj që ka qenë sekret i mirë pëshpëritur në korridoret mediatike dhe politike, ka bërë që ai të pastrojë çdo gjurmë kriminale nga shtëpia e tij, madje është rastësore që është kapur ai celular, se çdo gjurmë tjetër duket se është fshirë me kohë, gjë që është në avantazhin e tij dhe dëmton procesin e paanshëm”, tha Kalemaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos