
Pozitivitet për reformën në gjyqësi, gëzim për reformën zgjedhore. Por kjo mund t’i mos mjaftojë Shqipërisë për të vijuar hapat konkrete për anëtarësimin në Evropë.
Ky është mendimi realist i deputetit Andreas Lämmel, anëtar i grupit të punës për Ballkanin Perëndimor në grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag-un gjerman.
A2 News i ka drejtuar disa pyetje deputetit gjerman, që nuk ka ngurruar të përgjigjet: Nga reforma në drejtësi tek protesta e studentëve, deri tek shancet reale për një anëtarësim të shpejtë, dhe perceptimin e Shqipërisë në politikën gjermane.
Në lidhje me integrimin evropian të Shqipërisë, nga një plan ekonomik, sa përfitime do të sillte për Bashkimin Evropian por edhe për Gjermaninë, gjithmonë duke marrë parasysh shkëmbin e ndërsjellët ekonomik?
Shqipëria është pjesë e Evropës dhe nuk ka dyshim për këtë përcaktim. Unë jam i mendimit se të gjitha palët do të përfitojnë nëse një Shqipëri demokratike do të mund të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian.
Shqipëria do të përfitonte së tepërmi në aspektin ekonomik nëse bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Por edhe Gjermania mund të përfitojë sepse e para është shkëmbimi i lirë në fushën e tregtisë, dhe sidomos heqja e taksave doganore. Kjo temë për sa i përket edhe fuqisë punëtore vlerësohet tepër pozitivisht. Por ekziston njëfarë rreziku për Shqipërinë.
Cili?
Gjithë kjo fuqi punëtore e kualifikuar, nëse do të realizohet lëvizja e lirë, do të duan të largohen nga vendi. Por nga ana tjetër është detyra e politikës shqiptare që të ndryshojë kushtet me qëllim që njerëzit të mos kenë më interes të largohen nga vendi i tyre, të largohen nga Shqipëria.
Çfarë mendoni për protestat e studentëve të këtyre ditëve?
Tema e protestës së studentëve sipas mendimit tim luan të njëjtin rol, sepse nëse kushtet në universitete janë aq të këqija sa ç’më kanë treguar këto ditë, atëherë edhe studentët nuk kanë zgjidhje tjetër, por vetëm për t’u larguar. Pra duhet t’u krijojnë kushte sa më të mira me qëllim që këta të kenë një shans në Shqipëri.
Cilat janë pikat pozitive të ndërmarra si nga qeveria por edhe nga opozita në lidhje me integrimin në BE?
Jemi tepër të gëzuar që reforma zgjedhore ka filluar hapat e saj të para, do të ndjekim me vëmendje ecurinë e saj. Ajo që shohim me pozitivitet është edhe reforma në drejtësi. Janë bërë hapat e para me sukses dhe tani nevojitet një Gjykatë Kushtetuese si dhe një Gjykatë e Lartë funksionale. Nëse gjithçka do të realizohet në muajt e ardhshëm, Shqipëria do të ketë bërë një hap tepër të madh.
Por...
Dua të theksoj që sipas meje përpjekjet e politikës së Shqipërisë nuk janë të duhurat në fushat e tjera. Kancelarja Merkel nuk merr vendimin e vetme dhe me sa kam dëgjuar në Bundestag, diskutimet parlamentare kundrejt Shqipërisë janë kritike, edhe pse konstruktive. (A2 Televizion)