
Është dakord për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, por kundër ultimatumeve dhe afateve. Këtë qëndrim shprehu në Ditari në A2 CNN, deputeti demokrat Dashnor Sula, duke u ndarë nga qëndrimi i Grida Dumës dhe deputetëve të tjerë demokratë që i kanë lënë kohë deri të enjten Lulzim Bashës për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit.
“Nuk është një ultimatum i tillë dhe nuk do ta doja një ultimatum të tillë, këtu unë ndahem për ultimatume me orë apo dy ditë unë i qëndroj vendimit tim personal që dorëheqja e Bashës duhet të ndodhë. Kjo ka të bëjë me karakterin dhe unë nuk bëj pjesë në ato politikanë që në momentin më të vështirë që ai ka në këtë moment nuk mund t’i vëmë shkelmin, por Basha duhet të tërhiqet t’i hapë rrugë bashkimit të PD-së”.
Sula, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së të shtunën e 12 marsit dha edhe propozimet konkrete për daljen nga kriza të partisë, tha se i qëndron vendimit të tij personal për të gjetur të gjitha mundësitë e bashkimit të kësaj force politike dhe për të mos patur më rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit. Ai tha se prej kësaj date nuk ka më komunikim me Bashën
“Të bëhen të gjithë kalkulimet për bashkimin e PD, por unë dhe disa të tjerë kemi formuluar propozimin konkret të bashkimit të PD-së, jo thjesht të largohet Basha dhe të vijë dikush tjetër. Unë nuk jam te Basha por te PD. Nuk më dhimbset as Basha e as Berisha, por PD. Ne duhet të qetësohemi, të pushohet lufta. Bashkim në formë artificiale nuk ekziston. Duhet të hapet gara të bëhen zgjedhje. Duhen disa figura që të bashkojë të gjithë faktorët të draftohet marrëveshje ku e panegociueshme të ishte ulja e gjakrave dhe pas zgjedhjeve te 2023 PD të shohë ku kanë arritur dhe të bëhen zgjedhje nga i pari te i fundit në PD. T’u nënshtrohemi primareve. Mosndodhja e bashkimit real nuk sjell fitore. Unë nga e shtuna kam zero komunikim me Bashën por kam pasur komunikim me kolegë të PD dhe kam parë që të gjithë kolegët e mi janë në unison për dorëheqjen e Bashës, por ultimatumet nuk janë rruga”.
Sula nuk përjashtoi edhe kandidimin e Berishës në krye të PD-së dhe tha se vetë ka qenë kundër largimit të çdo demokrati nga PD.
“Dora ime personalisht nuk ka votuar për largimin e asnjë demokrati të thjeshtë dhe unë kam abstenuar. Duhet të bëjmë bashkim real dhe Berisha të tregojë luajalitet për bashkimin e PD-së. Për mua nuk është zgjidhje ikja nga PD dhe bashkimi në foltore se di ketë thellim të çarjes, por ato që janë pozicionuar te foltorja. Ndonëse vendimi i 9 shtatorit nuk ishte i drejtë procedurialisht, por Basha tha që është vendim personal për mos çarjen e PD dhe ndodhi e kundërta. Absolutisht po, jam edhe Berishën jam për garën në PD dhe nuk përjashtoj asnjë njeri. Problemi është që jemi në tokë të djegur dhe as Basha e as Berisha nuk po i lënë këto dy figura të ngrihen idhtarë ne duhet të jemi të PD jo të individëve. Është për të ardhur keq që kush ka marrë karrigen nuk e lëshon më. Basha ka pasur reflektim dhe shpresoj që të jetë dorëheqje, nuk jam për ultimatume”.
Ai u bëri apel të gjithë demokratëve që të bashkohen pasi e kundërta sipas tij është kriminale për demokratët
“Nëse nuk ndodh bashkimi; secili rri në llogore dhe kjo nuk i shërben bashkimit. Kjo do të jetë kriminale dhe nuk do ia falin demokratët dhe shembullin e dhanë në 6 mars ku nuk dolën demokratët që nuk i bashkohen as foltores e as PD. Apel kolegëve të mi; të bëjmë të mundur që PD të bashkohet nëse do shkoje secili te foltorja apo PD për interes personal ky do të ishte gabimi më i madh nuk i bashkohem foltores. Ne do të luftojmë me parimin për të bashkuar PD”.
Sula e përjashtoi veten nga kolegë të tjerë të implikuar në afera korruptive dhe tregoi lidhjen e fortë që ka me bazën. (A2 Televizion)