Kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook një grafik ku, sipas tij, tregohet “kokëfortësisht se kërcimi i panatyrshëm i çmimit, që kishte nisur të rritej pak nga pak paralelisht me thellimin e krizës energjitike, përkon përpikmërisht me nisjen e luftës”.
“A ka apo s'ka lidhje lufta me kërcimin e çmimit të naftës në tërë botën, kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm kush bie pre e zhurmës së daulleve të dizinformimit e të çoroditjes së publikut, nga ata që dihet e shihet se kush janë. Ky grafik i nxjerrë sot nga një prej burimeve më serioze të informacionit për çmimet e naftës në botë, e tregon kokëfortësisht se kërcimi i panatyrshëm i çmimit, që kishte nisur të rritej pak nga pak paralelisht me thellimin e krizës energjitike, përkon përpikmërisht me nisjen e luftës”, shkruan Rama.
“Mospranimi i fakteve të realitetit dhe fabrikimi i nje realiteti konfliktual, me sajesa, shpifje, sharje, akuza, analiza të rreme, me qëllim shfrytëzimin e një tronditjeje që shkaktohet nga një fatkeqësi natyrore e pashmangshme, nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Por këtë herë - kur një popull i tërë europian po martirizohet nga një agresion ushtarak dhe kur bota flet deri edhe për rrezikun e paimagjimueshëm të Luftës së Tretë Botërore - kjo shfaqje dhune verbale, për të nxitur urrejtje, përçarje, destabilizim, përmes shpifjesh, akuzash, sharjesh, mallkimesh, ishte fare fare e tepërt”, shton Rama në rrjetin social. (A2 Televizion)
