Në kuvendin e Serbisë mbahet sot seanca e posaçme parlamentare për Kosovën. I ftuar është edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i cili do të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023. Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë, por në të nuk përmendet propozimi europian.
Presidenti Vuçiç tha më herët se nuk ka një afat kohor për pranimin e planit, dhe se nuk beson se gjatë seancës do të arrihet unitet politik.

”Jetojmë në një formë demokratike të regjimit politik dhe është e natyrshme që njerëzit të mos jenë dakord. Por nuk është e natyrshme të mos e kuptojmë njëri-tjetrin kur na presin detyra shumë të rëndësishme, dhe kur është ndoshta periudha më e vështirë në Europë dhe botë që prej Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi presidenti serb.
Sipas mediave serbe, në raportin që do të prezantohet për deputetët, theksohet se nga shtatori në janar ka pasur përshkallëzim të krizës dhe po ashtu të diskriminimit sistematik dhe dhunës kundër serbëve në Republikën e Kosovës, dhe vlerësohet se përgjegjësinë për situatën e ka Prishtina.
Thuhet gjithashtu se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet sa më shpejt dhe që qeveria të fokusohet te mbrojtja e menjëhershme e sigurisë së pakicës serbe në Kosovë. (A2 Televizion)