
Kryeqyteti, ashtu si edhe e gjithë Kategoria Superiore mbajnë frymën. Është koha e derbit. Tirana dhe Partizani bëhen gati për të zbritur sërish në fushë. Ky do të jetë dueli i tretë i sezonit, por sfida mund të rezultojë vendimtare për sezonin.
Partizani duhet të mendojë për titullin e pritur gjatë, me trajnerin Gega që nuk e pranon kompromisin të humbasë derbin dhe të festojë në fund të sezonit.
“Kam dëshirë të fitoj derbin, pastaj mendojmë për kampionatin. Koha për llogari? E thashë, duhen marrë me radhë ndeshjet. Llogaria jonë është të fitojmë derbin. Të gjithë energjitë do jenë te ndeshja me Tiranën. Nuk jam tip që nuk bëj shumë llogari”, tha Skënder Gega, trajner i Partizanit.
Bardheblutë luajnë për të gjetur fitoren, e cila mungon prej pesë vitesh. Suksesi në derbi është kthyer në objektivin e kampionatit, me trajnerin Mema që nuk i kursen deklaratat pikante.
“Ekipi është në rrugën e mbarë. Kemi fituar me skuadrat e kreut: Flamurtarin, Kukësin dhe Skënderbeun. Vetëm Partizani ka mbetur! Shpresojmë ta thyejmë. Urojmë të fitojmë ose mos të dalim pa pikë. Tifozëria e Tiranës ka fituar gjithmonë kundrejt asaj të Partizanit, por ndeshja ka dalë keq. Megjithatë shpresojmë nesër që të kthejmë dhe të fitojmë për të mos i zhgënjyer edhe ata”, tha Ardian Mema, trajner i Tiranës.
Edhe pse në radhët e Partizanit kanë bërë të pamundurën të evitojnë polemikat para ndeshjes, batuta erdhi nga mesfushori Bruno Telushi.
“Gol në derbi? Ishalla e zgjidh Alban Hoxha. Për mua është njëlloj, si shënoi Mala apo kushdo tjetër. Me rëndësi janë tre pikët, jo kush shënon”, u shpreh Bruno Telushi, lojtar i Partizanit.
Derbi Tirana-Partizani do të luhet këtë të premte në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur prej orës 18:00. (A2 Televizion)