
Luhet sot akti i dytë i El Classico, Real-Barcelona. Gjigantët spanjollë përplasen sërish dhe bëhet fjalë për Kupën e Mbretit, atje ku 90 minuatat e para u mbyllën në barazim 1-1.
Ne duelin e parë, gjithçka u vendos nga golat e Lucas dhe Malkom. Skuadrat vijnë me moral të lartë pas fitoreve në kampionat. Sa i përket takimit të sotëm, gjithçka është e hapur me Realin që ka një avantazh të lehtë për shkak të golit jashtë fushe.
Pikërisht ky fakt ja ka zbehur disi buzëqeshjen trajnerit Valverde. “Rezultati i ndeshjes së parë nuk është ai që kërkonim, megjithatë gjithçka është e hapur. Nuk është normale të luash dy ndeshje të kësaj rëndësie brenda një jave. Do të fokusohemi fillimisht me të gjitha forcat në Kupë. El Classico i së shtunës për momentin është larg”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, trajneri Solari kërkoi të shmangë komentet për Bale dhe u shpreh se skuadra synon medoemos finalen. “Fokusi ynë është 100% në Kupë. Kemi bërë një punë të madhe për të mbërritur deri këtu dhe duam finalen. Bale është si të gjithë lojtarët e tjerë. Ne jemi të bashkuar dhe me synime të qarta”, u shpreh argjentinasi.
Në “Santigo Bernabeu” priten spektakël dhe gola, sikurse kjo sfidë ka dhuruar gjithmonë. (A2 Televizion)