
Për të siguruar mbarëvajtjen e sfidës më të rëndësishme të futbollit në kryeqytet, derbin Tirana-Partizani, Policia e Tiranës ka njoftuar për një sërë masash që do të merren.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj), si dhe çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore (momenti i kalimit të tifozëve).
Segmentet Rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë :
– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”
– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”
– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”
Policia e Tiranës do të lejojë dhe marrë masa mbi grumbullimin dhe lëvizjen e tifozëve.
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 15:30-18:00, gjatë kalimit të tifozëve të ekipit të Tiranës, janë:
Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”, bulevardit “Gjergj Fishta”, përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.
Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 15:30 – 18:00, gjatë kalimit të tifozëve të ekipit të Partizanit, janë:
Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”. (A2 Televizion)