Derbi spektakolar, por Milano sot është zikaltër

Nga A2 CNN
17 Mars 2019, 22:59 | Futboll
Derbi spektakolar, por Milano sot është zikaltër

Derbi i Milanos nuk zhgënjeu pritshmëritë e spektatorëve që thyen rekordin e arkëtimeve të stadiumit  “San Siro”, apo të qindra milionë spektatorë që e kanë ndjekur në botë.

Interi harroi eliminimin në Europa League ndaj Eintracht Frankfurt dhe me titullarët e saj, dhe Lautaro Martinez në qendrën e sulmit në vend të kapitenit “të harruar” Icardi, fiton 3-2 kundër Milanit në një ndeshje plot emocione që fillon mirë për zikaltrit me golin e uruguaianit Vecino (3’), i cili rrezikon portën e Donnarumma edhe dy herë të tjera.

Dominimi interist i pjesës së parë,  duket sikur do të vuloset në hyrjen e pjesës së dytë (51’) me golin e De Vrij, por Milani nuk dorëzohet dhe arrin të kundërpërgjigjet me Bakayoko (57’), ndoshta më i miri i kuqezinjve.

Kur Milan ndodhej në momentin e tij më të mirë, një penallti ndaj Politano dhe e transformuar nga Lautaro Martinez duket sikur do të shuante çdo entuziazëm për djemtë e Gattusos.

Por në një derbi asgjë është e thënë. Piatek kësaj radhe nuk ndikon, por nuk gabon argjentinasi (me origjinë arbëreshe) Musacchio në një aksion konfuz në zonën e rreptësisë (71’) që e shndërron “San Siro” në një “ferr” kuqezi.

Rastet nuk mungojnë nga të dy anët në minutat në vijim, dhe Milan ka dhe shansin  e artë me Cutronen në sekondat e fundit, me një top i shpëtuar mrekullisht nga D’Ambrosio.  

Me fitoren e sotme, Interi kapërcen “kushërinjtë” dhe tashmë është në vendin e tretë me 53 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos