“Derbin” shqiptar e fiton Gjimshiti, Atalanta përmbys Parmën dhe ngjitet në vend të dytë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2020, 21:44 | Futboll
“Derbin” shqiptar e fiton Gjimshiti, Atalanta përmbys

Atalanta nuk di të ndalet. Edhe pse Juventusi tashmë është i pakapshëm, ekipi i Bergamos është padyshim ai më në formë në Serinë A, dhe e tregon edhe në Parma ku arrin fitoren me rezultatin 1-2, dhe kalon në vend të dytë në klasifikim.

Djemtë e trajnerit Gasperini kaluan gjithsesi në dizavantazh në pjesën e parë, ku ish-lojtari i tyre Kulusevski, që sezonin e ardhshëm do të luajë me kampionët e Juventusit, përfitoi nga një gabim dhe shënoi në minutën 43.

 Në fushën e blertë ndodheshin edhe dy ”kuqezi” të Rejas, Kastriot Dermaku dhe Berat Gjimshiti, zakonisht titullar, por që kësaj radhe hyri në fillim të pjesës së dytë.

Pikërisht hyrja e Gjimshitit i solli fat ekipit të tij, që sheh përmbysjen e Atalantës, me anë të një goditje dënimi të ukrainasit Malinovsky dhe një gol spektakolar të “Papu” Gomez në fund të ndeshjes.

Atalanta shkon në 78 pikë, rekord historik i saj, dhe sheh me optimizmin debutin në Champions kundër PSG. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos