Dëshmia: Si ngatërroi shënjestër vrasësi që i mori jetën një të riu në "Don Bosko"

Nga A2 CNN
5 Tetor 2022, 16:20 | Kronikë
Dëshmia: Si ngatërroi shënjestër vrasësi që i mori

Kevin Zeneli i njohur dhe me nofkën Suçi ishte porositur nga Kasandër Noga të ekzekutonte Geron Hasanbelliun në ngjarjen e Don Boskos në janar, por ai gaboi shënjestër. Rrëfimi është i vëllezërve Gentian e Indrit Beqiraj, të arrestuar gjatë operacionit ‘’porosia’’ në Durrës.

Në dëshminë  e tyre para hetuesve ata thanë se gabimisht Zeneli mori jetën Erion Çelës, ndërsa la të plagosur 4 persona të tjerë, mes tyre dhe kamarierin e lokalit. 

"E kemi ndjekur dhe mbajtur nën shënjestër dhe survejim përgjatë gjithë muajit dhjetor Geron Hasanbelliun. Na kishte ardhur një foto e tij dhe vendet që frekuentonte. Siguruam armët dhe automjetin, i njëjti me atë që u përdor në krim. Erdhi një moment ku nuk po gjenim hapësirë, ishte i kujdesshëm, i thamë Kevinit se u lodhëm dhe në fund të dhjetorit u dorëzuam".

Ndërsa Suçi vijon të jetë në kërkim së bashku me 4 persona të tjerë, vëllezërit Beqiraj treguan se si i gjetën  armët.

"Makinën dhe armët që kishim siguruar ne, ia dhamë Kevinit, i cili ka vijuar planin. E kemi ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes pasi ka kryer vrasjen".

Gentian e Indrit Beqiraj kërkuan të merren në mbrojtje dhe t’u jepet statusi i bashkëpunëtorit. Hetuesit po punojnë për të provuar deklarimet e tyre për të vendosur nëse korrespondojnë me provat dhe materialet e siguruara deri në këtë fazë të hetimit.

Pritet që pas mbylljes së dosjes nga akuza e Durrësit, t’i bëhet kërkesë SPAK që të vijojë procesin hetimor për shkak se kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos