
Policia e Tiranës zhvilloi një aksion në zonën e “5 Majit”, ku mësohet se është gjetur një bazë armatimesh. Më herët, në të njëjtën zonë janë sekuestruar edhe armë të tjera. Depo është zbuluar në garazhin e një pallati në zonë dhe dyshohet se përdorej nga grupet kriminale.
Policia njoftoi të enjten se kishte arritur të sekuestronte disa pjesë armësh, dylbi për snajper, një granatahedhës, karikatorë dhe municion luftarak.
“Më datë 05.10.2022, në rrugën "Besim Fagu", Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas informacioneve të marra në rrugë operative se disa persona, për shkak të presionit të Policisë, kishin transportuar dhe hedhur në një ambient të jashtëm, pjesë armësh e municion luftarak, menjëherë kanë ushtruar kontroll dhe kanë gjetur në rrugën "5 Maji", pjesë armësh të ndryshme (kallashi, mitralozi të lehtë, mitralozi të rëndë, pushke), municione luftarake dhe pajisje optike ushtarake, të futura në thasë”, tha në një njoftim për mediat.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon punën për identifikimin e poseduesve të armëve dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Provat materiale do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim. (A2 Televizion)