Dështon sërish seanca në gjyqin ndaj Shullazit, shkak vetting-u

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2019, 11:18 | Kronikë
Dështon sërish seanca në gjyqin ndaj Shullazit, shkak vetting-u

Shkarkimi nga vetting-u i gjyqtarit Arben Vrioni u bë shkak për dështimin e seancës së radhës ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

Trupa gjykuese mbeti me dy anëtarë duke e bërë të pamundur vijimin e gjyqit. Kryesuesja Albana Boksi relatoi se Apeli i ka dërguar shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku kërkon delegimin e një gjyqtari të ri. 

Seanca e radhës është caktuar për në datën 2 dhjetor.

Vitin e kaluar, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 14 vite heqje lirie Emiljano Shullazin, për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Për katër anëtarët e tjerë të grupit, gjykata caktoi: 12 vite burg për Gilmando Danin, 10 vite për Indrit Qyqjen dhe Indrit Zelën, ndërsa u dënua me 9 vite Blerim Shullazi.

Në vendimin e Gjykatës theksohet se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht. Në total, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 55 vite burg për anëtarët e bandës, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar 64 vite. Pas apelimit të vendimit nga Shullazi dhe të tjerët, çështja zgjat prej më shumë se një viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos