Urdhri i mbrojtjes nuk shpëton gruan në Maliq, burri i merr jetën se i kërkoi divorcin! Autori në kërkim  

Nga A2 CNN
30 Korrik 2023, 09:08 | Kronikë
Urdhri i mbrojtjes nuk shpëton gruan në Maliq, burri i merr jetën

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Luiza Mullallit në Zemblak të Maliqit.

Burimet bëjnë me dije se viktima është goditur me armë zjarri nga një distancë e afërt, ndërsa njëri prej plumbave e ka prekur në pjesën e kraharorit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Aktualisht grupi hetimor po vijon ekspertizën e plumbit për të konfirmuar armën e përdorur, ndërsa autori i identifikuar si Gjergji Mullalli (bashkëshort) i viktimës ende është në arrati.

Gjatë kohëve të fundit çifti kanë pasur debate me njëri-tjetrin, ku viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtje ndërsa shkak është bërë divorci i kërkuar prej saj.

Policia aktualisht ka ngritur pika kontrolli në hyrje e dalje të qytetit, ndërsa mbrëmjen e shkuar në komisariat u shoqëruan disa persona, familjarë të çiftit. Ata janë pyetur nëse kanë dijeni për konfliktin në familje, ndërsa më pas janë lënë të lirë.

55-vjeçari punonte në ndërtim, ndërsa viktima ishte e punësuar në një rrobaqepësi në Korçë. Sipas familjarëve të viktimës, autori konsumonte shpesh alkool. Çifti ishin prindër të 3 fëmijëve, 2 vajza dhe një djalë.

Ndaj 55-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare".

"Maliq, Korçë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme i cili bën fjalë për një vrasje të ndodhur në fshatin Zëmblak, Maliq, ju informojmë se:

Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Personit të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me këtë ngjarje referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin Gj. M., 55 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare". Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij shtetasen L. M., 46 vjeçe, të cilën më pas e ka hedhur në një gropë septike, pranë banesës së saj.

Nga ana e Policisë po vijon puna intensive për kapjen e autorit të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme". (A2 Televizion)

Njoftimi i Policisë
https://a2news.com/2023/07/29/burri-vret-gruan-ne-maliq/

A2 CNN Livestream

Latest Videos