Atentati në Durrës, shoqërohen mbi 20 persona

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2019, 08:58 | Kronikë
Atentati në Durrës, shoqërohen mbi 20 persona

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, është bërë shënjestër e një atentati mafioz pasditen e së premtes. Mjeti ku ai po udhëtonte është qëlluar me breshëri automatike.

Nga plumbat është plagosur rëndë prokurori, si edhe dy persona që ndodheshin më të, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në aksin Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit. Pasi u qëllua në lëvizje fuoristrada “Mercedes” ku udhëtonte prokurori dhe dy miqtë e tij ka dalë nga rruga. Prokurori i plagosur dhe dy të tjerët janë dërguar në Spitalin e Durrësit, ku janë vënë nën kujdesin e mjekëve. Në orët e mbrëmjes Andi Maloku u shoqëruar për një ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Ekspertët e policisë bënë krehjen e vendit të ngjarjes për prova materiale, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela dhe prokurori Anton Martini. 

Ndërkohë, policia e Durrësit ka shoqëruar mbi 20 persona lidhur me atentatin. Ata janë marrë në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës prej ditës së djeshme janë në Durrës, ndërsa janë marrë masa të larta sigurie në qytet pas atentatit.

Makina, e cila dyshohet se u përdor prej tyre në atentat, u gjet në fshatin Shkafonë afër Gjirit të Lalzit. Brenda në automjetin e braktisur, në Ishëm u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe dy maska që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë krimit. Prokurorët Martini dhe Hajdarmataj kanë bërë veprimet e para hetimore dhe kane marrë provat. Policia ngriti postblloqe dhe ushtroi kontrolle në të gjitha akset rrugore në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar. Pistat ku është fokusuar grupi hetimor janë për shkak të detyrës dhe të konflikteve personale për pronat. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/11/01/atentat-ne-durres-plumba-prokurorit-arjan-ndoja-dhe-dy-personave-te-tjere/
https://a2news.com/2019/11/01/prokurori-qe-u-plagos-ne-atentat-u-takua-nje-dite-me-pare-me-kreun-e-onm/

A2 CNN Livestream

Latest Videos