


Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar të paktën 55 shkelje të kryera nga zyrtarët e administratës së burgut të Fierit, shkelje që kanë çuar në lirimin e parakohshëm, apo uljen e dënimit për dhjetëra të dënuar.
Për këtë shkak, për 18 prej tyre, mes të cilëve përgjegjës të sektorit ligjor, të burimeve njerëzore, të financës e të policisë, me kërkesë të prokurorit Bledar Valikaj, gjykata miratoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas prokurorisë, në pozicionet përkatëse, ata kanë falsifikuar dokumente e formularë, kanë shpërdoruar detyrën duke sjellë përfitim të paligjshëm të të dënuarve. Në dosjen hetimore të siguruar nga A2 CNN rezulton se zyrtarët kanë prodhuar dokumente false, mes të cilave të dënuarit përfitonin ulje dënimi, apo lirim të parakohshëm në gjykatë.
Në këto dokumente zyrtarët akuzohen se fshihnin masat disiplinore që kishin marrë të dënuarit, apo rrisnin numrin e ditëve të punës në burg për të dënuarit. Mes më shumë se 40 të dënuarve që kanë përfituar nga paligjshmëritë e administratës spikat emri i Viktor Ymerit, ish-i dënuar për dy vrasje, aktualisht i arrestuar nga SPAK si i dyshuar për ekzekutimet e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt në vitin 2005.
Në dokumentet e dërguara në gjykatë për lirim të parakohshëm në vitin 2020 stafi i burgut të Fierit ka fshehur faktin se ndaj tij ishte dhënë një masë disiplinore. Për të njëjtin personazh, prokuroria thotë se burgu i Fierit i ka njohur uljen e 1 viti dënim nga amnistia në kundërshtim me ligjin.
“Kjo amnisti është njohur nga ana IEVP Fier në kundërshtim me kriteret ligjore pasi në kohën që është dhënë, ky i dënuar nuk ka qenë në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu në kohën që është zbatuar ligji nr. 22/2014 për amnistinë, IEVP Fier nuk ka ekzistuar si institucion, pasi IEVP Fier është hapur për herë të parë në vitin 2015”.
Një tjetër emër që ka përfituar nga është Genis Mëhiullaj, ish-i dënuar i Gjykatës për Krimet e Rënda, si pjesë një grupi të angazhuar në vrasje me pagesë. Ai ka përfituar 42.9 ditë ulje dënimi nga puna në burg, në një kohë, që sipas prokurorisë, referuar ditëve të punës duhet të përfitonte vetëm 0.15 ditë ulje. Po me të dhëna të rreme nga administrata e burgut, i dënuari përjetë Taulant Balliu, ka përfituar 19.5 ditë ulje dënimi, nga 9 qe meritonte, sipas ligjit. Pjesë e të njëjtit hetim janë edhe administratori i një subjekti tregtare brenda burgut, i cili nuk ka pasur as matës të energjisë elektrike dhe as të ujit.
(A2 Televizion)