Kontrabandë mallrash dhe mosdeklarim parash, sekuestrohen mijëra paund në Rinas e Durrës

Nga A2 CNN
26 Shtator 2022, 19:14 | Kronikë
Kontrabandë mallrash dhe mosdeklarim parash, sekuestrohen mijëra paund

Policia ka goditur disa raste të kontrabandës së mallrave dhe të mosdeklarimit të parave në aeroportin e Rinasit dhe në Portin e Durrësit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë përpunimit të dokumentacionit, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll më të detajuar në vijën e dytë, bagazhet e shtetaseve Xh. S. dhe D. Sh., në të cilat u gjetën veshje të padeklaruara në Degën e Doganës Rinas, me vlerë 12 840 euro.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nisi procedimi penal për shtetaset Xh. S. dhe D. Sh., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera". 

-Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është goditur një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasin D. H., të cilit i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 420 paund, të cilat ai nuk i kishte deklaruar.  

Në përfundim të veprimeve, materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë” dhe nisi procedimi penal për shtetasin D. H.

-Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan në dalje shtetasit Z. A., 42 vjeç, banues në Bagdad, i cili tentoi të kalonte kufirin, me një dokument të falsifikuar, si dhe shtetasin A. B., 27 vjeç, banues në Turqi, i cili tentoi të kalonte kufirin, me dokumentin e një shtetasi tjetër, me të cilin kishte ngjashmëri. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financar të DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve",  i shtetasit Z. A., 42 vjeç, banues në Bagdad, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. B., 27 vjeç, banues në Turqi”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos