Ngrënia e thonjve, një ves i zakonshëm që shpesh shoqërohet me stres dhe ankth, po rezulton shumë më i rrezikshëm sesa mendohet. Dermatologia Loreta Kuneshka, e ftuar në emisionin Dita Jonë në A2 CNN, ngriti alarmin për dëmtimet serioze që kjo sjellje mund të shkaktojë, sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë.
Kuneshka shpjegoi se në praktikën e saj has shpesh fëmijë të moshës 10–11 vjeç që nuk kanë përdorur kurrë gërshërë apo prerëse thonjsh, pasi i kanë konsumuar që në vogëli. “Ka fëmijë që e kanë si refleks, si tik nervor për të hequr stresin. Siç fusin gishtin në gojë, është edhe ngrënia e thonjve”, shprehet ajo.
Dermatologia thekson se problemi nuk qëndron vetëm te dëmtimi estetik: “Gjatë kafshimit, ata dëmtojnë jo vetëm thoin, por edhe mishin rreth tij. Ajo zonë bëhet shumë më e brishtë, shumë më e predispozuar për infeksione bakteriale dhe mykotike”.
Shumë nga fëmijët që vijnë tek ajo paraqiten me infeksione të avancuara: “Shikon një thua të dëmtuar, skuqje, ënjtje, dhe kur e pyet thotë: ‘E bëj pa e kuptuar’. Ka edhe raste kur e heqin thoin me dorën tjetër, jo vetëm me gojë”.
Kuneshka sqaron se shenjat e para të një infeksioni duhet të merren seriozisht: “Skuqja e mishit rreth thoit, ënjtja, dhimbja janë sinjale të qarta të inflamacionit. Në infeksionet bakteriale shfaqet edhe qelbi. Kur është myk, thoi fillon të marrë ngjyrë kafe apo jeshile, kjo është onikomikoza”.
Por situata mund të përkeqësohet shumë më tepër. Sipas saj, rasti më i rrezikshëm është kur fëmija ose i rrituri kafshon aq shumë sa dëmton shtratin e thoit. “Ka raste kur thoi rritet brenda mishit, futet thellë në shtrat. Mund të ketë nevojë për kirurg. Bëhet me anestezi lokale, por është shumë traumatike dhe ka edhe dhimbje”. (A2 Televizion)
